OpenAI Foundation

Përditësim mbi OpenAI Foundation

Një shënim nga Bret Taylor, Kryetar i Bordit të Drejtorëve të OpenAI Foundation

Nga Bret Taylor

Vjeshtën e kaluar, OpenAI njoftoi rikapitalizimin, duke i hapur rrugën OpenAI Foundation për të pasur akses në burime të konsiderueshme. Sot, po ndajmë se si Fondacioni po fillon ta vërë në zbatim atë mbështetje. 

Misioni ynë

Misioni ynë është të sigurojmë që i gjithë njerëzimi të përfitojë nga inteligjenca e përgjithshme artificiale. Kjo është një përpjekje shumëplanëshe. 

AI tashmë po ndryshon mënyrën se si njerëzit punojnë, mësojnë dhe kanë akses në kujdes shëndetësor. Ka potencialin të shkyçë përfitime të jashtëzakonshme - përparime mjekësore më të shpejta, zbulime shkencore të përshpejtuara, shërbime më të personalizuara në kujdesin shëndetësor dhe arsim, mjete të reja për krijimtari dhe shpikje, produktivitet më të lartë dhe rritje ekonomike, shërbime publike të përmirësuara si sistemet e transportit dhe shumë më tepër. Besimi ynë në këtë potencial e ka udhëhequr OpenAI që nga themelimi i saj.

Por ndërtimi i sistemeve të fuqishme për t’i sjellë dobi njerëzimit është vetëm një pjesë e punës së misionit tonë. Modele të avancuara të AI do të paraqesin gjithashtu sfida të reja që tashmë po shfaqen dhe ne duhet të jemi të përgatitur për t’i identifikuar këto sfida dhe për të zhvilluar zgjidhje për t’iu përgjigjur atyre. 

Këto janë dy rrafshet e asaj për të cilën po e ndërtojmë Fondacionin. Ne synojmë të mundësojmë përdorimin e AI për të gjetur zgjidhje për problemet më të vështira të njerëzimit, për të transformuar aftësitë e njerëzve dhe për të sjellë përfitime reale në jetën e tyre—duke punuar ngushtë me partnerë për t'u përgatitur për sfida të reja dhe për të ndihmuar shoqërinë të bëhet më e qëndrueshme ndërsa AI përparon.    

Kjo punë sapo ka filluar. Gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa zgjerojmë me shpejtësi aktivitetin tonë, Fondacioni pret të investojë të paktën 1 miliard USD në shkencat e jetës, trajtimin e sëmundjeve, punësimin dhe ndikimin ekonomik, qëndrueshmërinë e inteligjencës artificiale dhe programet komunitare. Kjo përfshin investimet e hershme drejt angazhimit tonë prej 25 miliardë USD, të njoftuar më parë, për trajtimin e sëmundjeve dhe qëndrueshmërinë e inteligjencës artificiale.

Në muajt në vijim, ne do të ndajmë përditësime për secilën prej këtyre fushave, ndërsa ndërtojmë, mësojmë dhe përsosim qasjen tonë dhe çojmë përpara misionin tonë me grante dhe programe të reja.

Shkencat mjekësore dhe kurimi i sëmundjeve1

Po fillojmë me shkencat mjekësore dhe kurimin e sëmundjeve, ku besojmë se AI ka potencial të jashtëzakonshëm për të përshpejtuar ecurinë shkencore dhe mjekësore, për të shpëtuar dhe përmirësuar jetët. Tashmë po shohim shumë shenja të hershme të aftësive të AI në këto fusha. Studiuesit po përdorin AI për të kuptuar më mirë sëmundjet, për të eksploruar mënyra të reja për t’i parandaluar dhe trajtuar ato dhe për t’i çuar idetë nga laboratori te pacientët më shpejt.

Në fondacion, kemi identifikuar tri fusha fillestare përqendrimi ku mendojmë se kjo punë mund të sjellë një ndryshim të vërtetë:

  • AI për alchajmerin: Alchajmeri është një nga sëmundjet më të vështira dhe më rrëqethëse me të cilat përballen familjet – dhe një nga problemet më të vështira në mjekësi. Aftësia e AI për të arsyetuar mbi të dhëna komplekse mund t’i ndihmojë studiuesit të zbulojnë njohuri të reja. Ne do të bashkëpunojmë me institucionet kryesore kërkimore, duke u përqendruar fillimisht te hartëzimi i rrugëve të sëmundjeve, zbulimi i biomarkerëve për kujdesin klinik dhe provat klinike, si dhe përshpejtimi i personalizimit të trajtimeve – duke përfshirë, kur është e mundur, ripërdorimin e molekulave ekzistuese të miratuara nga FDA.

  • Të dhëna publike për shëndetin: Shumë nga përparimet më të mëdha të mjekësisë janë bërë të mundura nga të dhënat shkencore të përbashkëta dhe aksesi publik në të dhëna është thelbësor për të realizuar premtimin e AI për përparime shkencore. Ne do t’i ndihmojmë partnerët të krijojnë dhe zgjerojnë grupe të dhënash të hapura dhe me cilësi të lartë – dhe, kur është e përshtatshme, t’i ndihmojmë të hapin në mënyrë të përgjegjshme ato që më parë kanë qenë të mbyllura – në mënyrë që studiuesit kudo të mund të shfrytëzojnë AI dhe të përdorin të dhënat për të nxitur përparimin në trajtimin e sëmundjeve.

  • Përshpejtimi i progresit në sëmundjet me vdekshmëri të lartë dhe barrë të rëndë: Ne besojmë se AI mund të ndihmojë në arritjen e përparimeve shkencore dhe në uljen e kostos dhe rrezikut të zhvillimit ose ripërdorimit të terapive, veçanërisht në fushat e sëmundjeve me vdekshmëri të lartë dhe barrë të rëndë që nuk financohen mjaftueshëm. Ne do të bashkojmë studiuesit e AI dhe ekspertët e sëmundjeve, duke filluar me një workshop të përqendruar për të përcaktuar mënyrën më të mirë për t’i fuqizuar shkencëtarët me mjete AI dhe për të nxjerrë në pah mundësi premtuese.

Jacob Trefethen do ta udhëheqë këtë punë si drejtues i shkencave mjekësore dhe trajtimit të sëmundjeve. Ai po i bashkohet ekipit nga Coefficient Giving, ku mbikëqyri më shumë se 500 milionë USD në grante për shkencën dhe shëndetin.

Punësimi dhe ndikimi ekonomik 

AI do të ndryshojë natyrën e punës dhe ekonominë-duke sjellë sfida dhe mundësi. Ne e kuptojmë se kjo është thellësisht e rëndësishme. Fondacio ka filluar të angazhohet me ekspertë dhe komunitete - shoqërinë civile, pronarët e bizneseve të vogla, sindikatat, ekonomistët kryesorë, politikëbërësit dhe të tjerë - për të zhvilluar dhe financuar zgjidhje praktike në këtë fushë. Ne synojmë të angazhojmë burime të konsiderueshme për qasjet më premtuese dhe do të ndajmë më shumë në javët e ardhshme.

Qëndrueshmëria e AI

Siç u njoftua më parë, AI Resilience do të jetë gjithashtu një nga programet tona kryesore. Kjo punë përqendrohet te sfidat e reja që lindin në mënyrë të pashmangshme nga AI më e aftë, që njerëzit të përfitojnë plotësisht nga AI në mënyra që mbështesin dhe zgjerojnë agjencinë njerëzore, krijimtarinë dhe mundësitë.

Fillimisht do të përqendrohemi në disa fusha ku shqetësimet për ndikimin janë tashmë të dukshme dhe ku mendojmë se veprimet e hershme mund të bëjnë një ndryshim të vërtetë:

  • Ndikimi i AI te fëmijët dhe të rinjtë: Ne duam të ndihmojmë për t’u siguruar që mjetet e AI të jenë të sigurta për të rinjtë dhe të mbështesin zhvillimin e tyre të shëndetshëm. Kjo përfshin investimin në kërkime dhe vlerësime të bazuara në të dhëna, si dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme për të ndihmuar në identifikimin e masave të duhura mbrojtëse që ndihmojnë në garantimin e ndërveprimeve të sigurta dhe të dobishme midis AI dhe fëmijëve e të rinjve.

  • Biosiguria: Ne synojmë të forcojmë mënyrën se si shoqëria përgatitet për kërcënime të mundshme biologjike – si ato natyrore ashtu edhe ato të mundësuara nga AI. Kjo përfshin përmirësimin e zbulimit, parandalimit dhe zbutjes. 

  • Siguria e modelit të AI: Ne duam që sistemet e AI të jenë më të sigurta si parazgjedhje. Kjo do të thotë të mbështesim testimin dhe vlerësimet e pavarura, të zhvillojmë standarde të reja dhe më të forta të industrisë dhe të financojmë kërkimin themelor që ndihmon në shmangien e çështjeve të sigurisë ose në zbulimin dhe adresimin e tyre herët.

Wojciech Zaremba, një bashkëthemelues i OpenAI, po i bashkohet fondacionit si drejtues i AI Resilience për të udhëhequr këtë punë.

Mbështetja e komuniteteve

Së shpejti do të njoftojmë valën përfundimtare të granteve nga fondi fillestar People-First AI, së bashku me më shumë detaje mbi atë që vjen më pas.

Përmes kësaj pune—të nisur me rekomandimin e Komisionit tonë për Organizatat Jofitimprurëse—kemi parë se organizatat e bazuara në komunitet janë në një pozicion unik për t’i ndihmuar njerëzit të orientohen në ndryshimet e nxitura nga AI. Këto grupe me besueshmëri të lartë janë më afër komuniteteve që u shërbejnë dhe udhëheqin punë të rëndësishme në terren.

Ne do të vazhdojmë të investojmë në nisma që mbështesin komunitetet, me fokus te ndihma për njerëzit që të kuptojnë AI, të përfitojnë nga aftësitë e saj dhe të përshtaten me ndryshimet që ajo sjell.

Ndërtimi i ekipit tonë

Përveç Wojciech dhe Jacob, po ndërtojmë një ekip për ta çuar përpara punën tonë në shkallë të gjerë.

Në mes të prillit, Anna Makanju do t’i bashkohet Fondacionit si Drejtuese e AI për Shoqërinë Civile dhe Filantropinë, për të udhëhequr punën e Fondacionit në përdorimin e AI për të ndihmuar organizatat jofitimprurëse, OJQ-të, institucionet filantropike dhe ekosistemin më të gjerë të shoqërisë civile të përshpejtojnë dhe zgjerojnë ndikimin e tyre. Anna ka shërbyer më parë si nënkryetare e ndikimit global në OpenAI. Presim me padurim të ndajmë më shumë rreth kësaj pune në javët e ardhshme.

Robert Kaiden po i bashkohet fondacionit si drejtor financiar. Robert ka mbajtur më parë role të larta drejtuese në Deloitte, Twitter dhe Inspirato. Ai do të ndihmojë që fondacioni të funksionojë me një disiplinë të fortë financiare ndërsa rritemi.

Jeff Arnold po i bashkohet si drejtor i operacioneve. Jeff ishte një nga anëtarët e hershëm të OpenAI. Ai e ka kaluar karrierën e tij duke ndërtuar dhe zgjeruar kompani, përfshirë në role drejtuese në Oracle dhe Dropbox. Ai do të ndihmojë në ndërtimin e sistemeve operacionale që nevojiten për të mbështetur qëllimet e Fondacionit. 

Bordi i fondacionit po kërkon gjithashtu një drejtor ekzekutiv. Do të vazhdojmë të shtojmë në ekip gjatë muajve të ardhshëm.

Çfarë vjen më pas

Jemi ende në fillim të asaj që AI mund të mundësojë.

Mundësia - dhe përgjegjësia - është të sigurojmë që këto teknologji të sjellin përparim të vërtetë për njerëzit. Ne do të mësojmë shpejt, do të bashkëpunojmë ngushtë me partnerët dhe do të investojmë në zgjidhje që mund të përhapen dhe të transformojnë.

Qëllimi ynë është të ndihmojmë më shumë njerëz të zgjidhin problemet më të vështira, të kujdesen më mirë për njerëzit që i duan dhe të ndërtojnë jetë të përmbushura që dikur ishin të paarritshme.

Duke mirëpritur zhvillimet e reja në punë do të ndajmë më shumë informacion në muajt në vijim.

Footnotes

  1. 1

    Previously referred to as Health & Curing Diseases, this program has been renamed Life Sciences to reflect the Foundation’s focus on advancing biology and medical research as core to curing disease.